Secondary Adv

Hyjnë në fuqi rregullat e reja për pronat pa titull

Rregullat e reja përcaktojnë kalimin e pronësisë deri në 300 m² dhe tarifën 10 mijë lekë për aplikimet e qytetarëve.

Kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për pajisjen me dokument pronësie të objekteve pa titull, trojeve të tyre funksionale dhe oborreve në përdorim. Vendimi nr. 698, datë 16 shtator 2026, i Këshillit të Ministrave është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe, sipas dispozitës së tij përfundimtare, hyn në fuqi menjëherë pas botimit.


Ndryshimet prekin drejtpërdrejt procedurat që ndiqen nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) dhe qytetarët për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë. Ndër risitë kryesore janë përcaktimi më i qartë i kufirit deri në 300 m² për truallin funksional dhe oborret në përdorim, rastet kur kalimi në pronësi bëhet pa pagesë, procedurat që mund të nisin kryesisht nga vetë ASHK-ja dhe tarifa prej 10 mijë lekësh kur aplikimi bëhet me kërkesë të qytetarit.


Deri në 300 m² truall funksional

Sipas rregullave të reja, drejtoria vendore e ASHK-së kalon në pronësi sipërfaqen funksionale të një objekti pa titull deri në 300 m², me kusht që kjo sipërfaqe të posedohet efektivisht nga subjekti. Posedimi duhet të vërtetohet në momentin e evidentimit në terren nëpërmjet rrethimit.


Vendimi jep edhe një përkufizim më të qartë të “posedimit efektiv”. Me këtë term kuptohet zotërimi nga subjekti përfitues i sipërfaqes së truallit funksional ose oborrit në përdorim, në funksion të objektit, bazuar në rrethimin në terren dhe brenda kufijve të sipërfaqes së përcaktuar nga vendimi.


Kur trualli kalon në pronësi pa pagesë

Një nga pikat më të rëndësishme për qytetarët lidhet me kalimin pa pagesë të truallit. Kur trualli funksional është në pronësi shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion për pronësinë, dokumenti i pronësisë për sipërfaqen deri në 300 m² miratohet pa pagesë. Kjo vlen pavarësisht nëse në këtë sipërfaqe ndodhen edhe ndërtime pa leje që lidhen me vetë subjektin.


Ndryshe veprohet kur trualli funksional rezulton pronë private e personave të tretë. Edhe në këtë rast dokumenti i pronësisë mund të miratohet për sipërfaqe deri në 300 m², por përfituesi duhet të paguajë vlerën e truallit. Vlera llogaritet sipas çmimit favorizues dhe me të njëjtat lehtësi pagese që përcakton ligji nr. 20/2020 për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë.


Vendimi rregullon edhe rastet kur trualli funksional shtrihet pjesërisht mbi pronë shtetërore dhe pjesërisht mbi pronë private. Në këto raste, ASHK mund të miratojë dokumentin e pronësisë edhe për një sipërfaqe më të vogël se 300 m², pavarësisht posedimit efektiv në terren, kur kjo është fizikisht e mundur pa cenuar pronësinë private të personave të tretë.


Të njëjtat rregulla edhe për oborret në përdorim

Rregullat shtrihen edhe te oborret në përdorim. Drejtoria vendore e ASHK-së mund të kalojë në pronësi oborrin deri në 300 m², nëse ai posedohet efektivisht dhe kjo vërtetohet gjatë evidentimit në terren përmes rrethimit.


Edhe për oborret, kalimi i pronësisë bëhet pa pagesë kur toka është shtetërore, figuron me pronar të pavërtetuar ose nuk ka informacion mbi pronësinë. Kur sipërfaqja është pronë private e personave të tretë, përfituesi duhet të paguajë vlerën e truallit sipas çmimit favorizues dhe lehtësive të përcaktuara në ligj.


ASHK mund të nisë vetë procedurat

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është rritja e rolit aktiv të ASHK-së në nisjen e procedurave. Procesi nuk do të varet vetëm nga aplikimi individual i qytetarit. ASHK mund t'i nisë dhe trajtojë kryesisht procedurat për pronat e evidentuara nga vetë institucioni gjatë regjistrimit fillestar, përmirësimit të zonës kadastrale ose verifikimeve në terren.


Për këtë qëllim futet koncepti i ri i “planveprimit”, një dokument zyrtar i miratuar nga drejtoria vendore e ASHK-së, në të cilin përcaktohet lista e blloqeve kadastrale ku do të trajtohen dhe përfundohen procedurat për miratimin e dokumenteve të pronësisë.


Në momentin e verifikimit në terren, ASHK i jep subjektit mundësinë të plotësojë formularin për deklarimin e të dhënave të kërkuara. Për rastet e objekteve me funksion banimi, kur procedura nis kryesisht nga ASHK-ja sipas rasteve të parashikuara në vendim, nuk aplikohet tarifa standarde e shërbimit.


Aplikimi në e-Albania kushton 10 mijë lekë

Kur procedura nis me kërkesën e vetë qytetarit, aplikimi duhet të paraqitet online përmes platformës e-Albania. Tarifa e shërbimit për procedurën administrative të miratimit të dokumentit të pronësisë është 10 mijë lekë. Ajo paguhet në momentin e paraqitjes së kërkesës për kalimin e pronësisë dhe është e pakthyeshme edhe në rast se kërkesa rrëzohet nga ASHK-ja.


Afat 30-ditor kur nuk identifikohet poseduesi

Rregullat e reja përcaktojnë edhe çfarë ndodh kur Kadastra evidenton një pronë, por gjatë verifikimit në terren nuk arrin të identifikojë poseduesin. Në këto raste, ASHK duhet ta bëjë publik informacionin në ambientet e njësisë administrative, në drejtorinë vendore të Kadastrës dhe në faqen zyrtare të institucionit për një periudhë 30-ditore.


Nëse gjatë këtij afati paraqitet personi që pretendon pronën, ASHK vijon procedurën administrative në emër të subjektit për të cilin evidentohet posedimi në terren. Nëse personi paraqitet pas përfundimit të 30 ditëve, ka të drejtë të aplikojë nëpërmjet platformës e-Albania.

Ndryshimet sqarojnë gjithashtu trajtimin e oborreve në përdorim që ndodhen në pronësi private të personave të tretë ose që janë transferuar te njësitë e vetëqeverisjes vendore, duke përcaktuar zbatimin e dispozitave përkatëse të ligjit nr. 20/2020.


Rregullat zbatohen edhe për dosjet në proces

Rregullat e reja kanë efekt edhe për dosjet që janë aktualisht në proces. Vendimi përcakton shprehimisht se kërkesat e administruara përpara hyrjes së tij në fuqi, por për të cilat ende nuk ka përfunduar trajtimi administrativ, do t'u nënshtrohen dispozitave të reja.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat